Silva Doçi është e reja që u kthye nga Wuhani në fillim të këtij muaji. Wuhani ishte kthyer në një shtëpi të dytë për Silvën e cila ka jetuar atje prej 11 vitesh dhe po vazhdonte doktoraturën për marrëdhënie ndërkombëtare. Në një rrëfim për Top Channel Silva tregon përballjen e parë me këtë ngjarje dhe shprehet se ka një lidhje shumë të fortë me Wuhanin prandaj në të ardhmen do të kthehet.
“Kur unë e mora vesh që ekzistonte një Koronavirus, flasim për datën 20 Janar pasi më parë ishte një virus i panjohur që ndodhej diku në një zonë të Wuhanit, kisha frikë. U mundova të bëj përgatitjet e duhura por nuk dija se çfarë të përgatisja. Isha në ankth. Iu drejtova mësuesve, personave përgjegjës në universitet edhe shoqërisë time. Frika vazhdoi pasi mua më zuri një grip i stinës dhe gjatë të gjithë kohës ndiqja lajmet online për këtë virus të ri. Mundohesha të qetësoja veten por nuk ndodhi ashtu siç doja pasi edhe familja ime e mori vesh dhe frika u shtua edhe më shumë.
Familja ime filloi të më shtyjë që unë të largohem. Në atë kohë kishte filluar edhe rrethimi i Wuhanit, pra mbyllja. Në fillim nuk doja, por duke parë shqetësimin e familjes dhe lëvizjet që po bëheshin në Wuhan për ta mbyllur qytetin, pasi ishte sezon pushimi dhe unë kisha ndërprerje nga shkolla. Çështja e Koronavirusit dhe e imja u bë e njohur në median shqiptare përmes prononcimit që dhashë për Top channel kur unë bëra një lidhje përmes Skype me edicionin e lajmeve, pak për të shpjeguar gjendjen time dhe pak për të atë çfarë dija unë për Wuhanin. Këto ishin hapat e parë përfshi kontaktin me ambasadën që ishte procesi që pasoi më tutje.
Për evakuimin e të huajve me sa di unë shtetet e para ishin Amerika dhe Franca që u interesuan dhe bënë lëvizjet e para. Ky ishte moment kur kuptova se ka një mundësi. Në kontakt me ambasadën shqiptare ne arsyetuam që do të duhej një shtet tjetër për të na ndihmuar. Jo vetëm për mua por edhe për qytetarët e vendeve të vogla pasi duhej një avion special për të ardhur e marrë personat në Wuhan. Lëvizjet e tjera janë bërë nga ambasada shqiptare në Pekin dhe qeveria shqiptare. Për fatin tim të mirë u desh që të ishte Turqia që do të merrte shtetasit turq nga Wuhani që ishin rreth 40. Ata u shprehën dashamirës ndaj nesh dhe falë mundit të qeverisë shqiptare u bëra pjesë e grupit të të evakuarve me një avion ushtarak.
Në karantinë ndjehesha më e qetë pasi nuk isha prekur nga Koronavirusi. Shëndeti im po përmirësohej krahas anës shpirtërore dhe psikologjike. Isha e mbyllur. Karantina është një proces ku ti je e mbyllur brenda një dhome.
Por brenda kësaj dhome çdo gjë ishte në vendin e duhur ishte e përkryer. Kujdesi nga mjekët nga stafi, jam shumë e kënaqur. Ata kishin gjithmonë një buzëqeshje një dashamirësi me gjithë barrierën e gjuhës. Mjaftonte që ata të më thonin “tamam tamam” dhe jemi në rregull. Prisja të kthehesha në Shqipëri. Numëroja ditët. Me gjithë rehatinë aty mendjen e kisha në Shqipëri.
Në Shqipëri këto ditë i kam kaluar vetëm me familjen. Të afërmit e tjerë kanë ardhur për të më vizituar dhe janë ndjerë shumë të afërt me mua si çdo herë kur kthehem nga Kina. Ata duan që unë të ndjehem mirë. E kanë hequr frikën. Familja mendon vetëm për shëndetin e personit dhe jo të tjerat. Shoqëria ime më ka thënë sapo të jesh mirë dhe të qetësohesh të presim e të takohemi si gjithmonë. Por unë të them të drejtën e di se me kë do të takohem, pjesa e parë e interesimit do të jetë Koronavirusi, gjendjen në Wuhan dhe nëse do të kthehem sërish apo jo. Pastaj për mua si person.
Unë do të kthehem. Do të kthehem më patjetër. Kam shkollën që e kam lënë përgjysmë atje. Kam shumë shoqëri dhe miqësi. Fakti që ndodhi një Koronavirus nuk do të thotë që unë do të ndahem nga ai qytet ose nga ai shtet ku kam jetuar prej 11 vitesh. Kjo thjesht është një fatkeqësi që i ndodhi njerëzve atje. Unë isha pjesë e tyre dhe e ndjeva akoma më shumë. Koronavirusi më ka bërë që ta ndjej më të fortë lidhjen me Wuhanin, me universitetin dhe të gjithë njerëzit. Do të kthehem me patjetër”, është shprehur Silva.
Burimi: top-channel.tv