Valer Kolnikaj ishte një nga të ftuarit e shumtë VIP që ndoqën “I love Tropoja” në premierën e 29 Janarit. I pyetur nga “Panorama plus”, Valeri ka treguar se i ka pëlqyer shumë filmi dhe tropojanët do t’i jenë mirënjohës Ermalit kur ta shohin “I love Tropoja”.
“Film më i bukur nuk bëhej! Realizimi dhe cilësia e filmit ishin në nivel maksimal. Gallatë që nga fillimi e deri në fund. E pabesueshme si mund të tregohet një histori e bukur dashurie, njëkohësisht komedi që të bën të qeshësh në çdo moment dhe të përcjell dhe mesazh të veçantë, pra subjekt shumëplanësh.
Valer Kolnikaj: Për sa i përket kësaj zhurmës që filmi paska ‘çnderuar tropojanët’, jam i bindur që është thënë me qëllim keqdashës nga dikush që s’ia ka idenë e as nuk e ka parë filmin. Tropojanët jam i sigurt që do t’i jenë mirënjohës Ermalit sapo ta shohin filmin. Përveçse një promovim të jashtëzakonshëm të bukurive të atij vendi, është një art i veçantë i të bërit komedi, duke ruajtur traditat e zakonet e zonës. Për mendimin tim, në asnjë moment nuk cenohet nderi apo zakoni në film. Janë thjesht dashakeqës ata që komentojnë ashtu. Kur të shohin filmin, do të qeshin me komentet e tyre pa lidhje, po aq sa qeshëm ne në premierë duke e parë ‘I love Tropoja’”, është shprehur Valeri.