Kadri Veseli po proklamon një dekadë të re për Kosovën bashkë me disa bashkëpartiakë të sapozgjedhur, ndonëse këta kanë aktakuza të ngritura për “Korrupsion”. Të dielën e kaluar në krye të Degës së PDK-së në Skenderaj është zgjedhur Sami Lushtaku, i cili është i akuzuar për “Korrupsion” në rastin e një tenderi milionësh në KEK, shkruan “Zëri”.
Lushtaku po ashtu muaj më parë është marrë në pyetje edhe nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë. Përveç Lushtakut, në krye të Degës së PDK-së në Gjilan është zgjedhur para dy dite Qemajl Mustafa, i cili po ashtu dyshohet për “Korrupsion” dhe nga shtatori i vitit 2016 i është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndërsa njohësi i çështjeve politike Rasim Alija ka thënë për “Zërin” se PDK-ja është duke i zhvilluar zgjedhjet për një “Dekadë të Re”, por me figura të vjetra, teksa ka shtuar se e tërë gara po zhvillohet në një luftë të brendshme mes Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
“Procesin e zgjedhjeve të brendshme në PDK e kanë përcjellë nga fillimi problemet dhe pakënaqësitë. Do të ishte krejt normale nëse këto përplasje do të ishin si produkt i procesit të brendshëm të demokratizimit të PDK-së. Por kjo duket se është më shumë një anemi e z. Veselit për ta menaxhuar PDK-në. Këto zgjedhje në PDK përveç zgjedhjeve në subjekt politik duket se janë edhe një garë ndërmjet Veselit e Thaçit si ish-kryetar i PDK-së për ta dëshmuar fuqinë reale brenda subjektit”, ka thënë ai.
Alija mes tjerash vlerëson se zgjedhja e figurave që kanë afera e akuza për “Korrupsion” nënkupton se qeverisja e PDK-së nuk do të jetë më e mirë sesa ato në të kaluarën.
“De facto, Thaçi ende vazhdon ta ketë fuqinë reale brenda PDK-së, ndërsa i gjithë ky riciklim figurash pa dyshim se reflekton edhe në qeverisjet e ardhshme. Ka figura të cilat janë të mbushura me afera e me akuza për ‘Korrupsion’ e për ‘Zhvatje” të së mirës publike. Kjo është një dekadë e re me figura të vjetra, që produkt nuk mund ta ketë qeverisjen e mirë e as demokratizimin e PDK-së”, ka potencuar ai.