Lajme

Në Berlin me qëndrime të kundërta

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në fund të këtij muaji pritet të udhëtojnë për në Gjermani, me ç’rast do të marrin pjesë në Samitin e Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë thënë gazetës “Zëri” se temë kryesore e Samitit do të jetë dialogu me Serbinë, porse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje finale mes dy vendeve. Por pavarësisht faktit se në takimin e 29 prillit pritet të diskutohet për vazhdimin e dialogut dhe për heqjen e taksës, presidenti e kryeministri do të shkojnë në Berlin me qëndrime të kundërta rreth këtyre çështjeve.

Derisa Thaçi është pro heqjes së taksës dhe pro korrigjimit të kufirit me Serbinë, Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrim kundër të të dyja këtyre opsioneve: edhe largimit të tarifës pa njohje të Kosovës nga Serbia, edhe lëvizjes së kufijve.

Megjithëkëtë njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në takimet e Berlinit do të bëhen përpjekje për ta gjetur një rrugëzgjidhje, e cila do të mund të çonte drejt heqjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe vazhdimisht të bisedimeve me palën serbe.

Hoxhaj: Në Samitin e Berlinit mund të ketë zotim për përmbyllje të dialogut gjatë 2019-s

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili njëherësh është nënkryetar i PDK-së, ka pohuar se tema kryesore në Samitin e Berlinit do të jetë procesi i negociatave Kosovë -Serbi. “Pas Marrëveshjes së Prespës, e cila e ka zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë, prioritet evropian në Ballkan dhe prioritet amerikan në Ballkan, por edhe përtej Ballkanit do të jetë Kosova. Natyrisht që në këtë samit fokusi kryesor do të jetë dialogu Kosovë -Serbi, si mund të vazhdohet ai. Mund të ketë një zotim evropian përmes dy shteteve më të mëdha në BE që të përmbyllet ky proces gjatë 2019-s”, ka deklaruar Hoxhaj për “Zërin”.

Por sipas tij në takimet e Berlinit nuk do të ketë përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve sado që, siç Hoxhaj është shprehur, mund të jepen afate në këtë drejtim. “Do të jemi të gabuar nëse ne mendojmë që në një takim ku janë kancelaria gjermane, presidenti francez, presidenti i Komisionit Evropian, Mogerini, por edhe kryeministra e presidentë të vendeve të rajonit të arrihet ndonjë marrëveshje, se ky nuk është një takim bilateral Kosovë – Serbi, por është një takim multilateral dhe në takime të tilla mund të ketë zotime, afate kohore, mund të ketë mbështetje evropiane, por nuk mund të përfundojë me ndonjë marrëveshje”, ka theksuar ai.

Pavarësisht paralajmërimeve se në Berlin do të flitet për vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë për “Zërin” se vendi fillimisht duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme para se të ketë dialog me Serbinë. “Qëndrimi ynë politik është që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur dhe parimi ynë është që të ketë legjitimitet para dialogut. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet për t’u marrë me këtë çështje”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Rashiti: Taksa, dialogu e vizat, tema të Samitit

Teksa ka folur rreth Samitit të Berlinit, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, ka thënë për “Zërin” se ky samit ka të bëjë me negociatat për anëtarësim për Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnjën dhe çështjen e negociatave Kosovë -Serbi. “Presim më shumë të diskutohet për parakushtet për dialog sesa për marrëveshje. Nuk besoj se do të ketë marrëveshje, por do të flitet rreth tarifës dhe parakushteve se në çfarë forme mund të vazhdojë dialogu. Jemi shumë larg për të diskutuar për marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Rashiti më tutje ka vlerësuar se është momenti i fundit që këtyre çështjeve t’u jepet përgjigje. “Besoj që është momenti i fundit, kyç, për t’u dhënë përgjigje disa çështjeve: për Maqedoninë, për Shqipërinë, për vizat për Kosovën, se Franca dhe Gjermania nuk kanë ndonjë sinjal të qartë rreth vizave ose nëse kanë sinjal të qartë, do të jetë shumë më i lehtë procesi më tutje. Po ashtu pres që parametrat për vazhdimin e dialogut të rregullohen, është mundësia e fundit që dialogu të kthehet, besoj që do të provohet të ketë një marrëveshje rreth çështjes së taksës dhe dialogut”, ka theksuar ai.

Edhe Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se në Samitin e Berlinit do të diskutohet lidhur me çështjet që janë duke e penguar zhvillimin e dialogut. Ky samit, sipas tij, do të jetë i ngjashëm sikurse ata të mëparshmit, në të cilin do të nënshkruhet një deklaratë prej liderëve, ku do të tregohet përkushtimi për të ardhmen evropiane. “Sidoqoftë, duke marrë parasysh faktin që në këtë samit do të jenë të përfshirë vetë kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, atëherë besoj se palët do të duhej që të tregonin një përkushtim më të madh sesa herëve të kaluara lidhur me këtë proces dhe të mos kemi deklarata boshe nga të dy liderët ose kushtëzime nga njëra ose pala tjetër për vazhdimin e dialogut”, është shprehur ai.

Ndërkohë, rinisja e dialogut sipas Cakollit mund të ndodhë vetëm në momentin kur të dyja palët e përfshira shfaqin vullnet për heqjen e barrierave që janë duke penguar procesin. “Çfarëdo formati tjetër, qoftë ai i Samitit të Berlinit ose ndonjë format tjetër i diskutimit nuk paraqet nisje zyrtare të procesit të dialogut, meqenëse takime mes presidentëve mund të ketë në nivel rajonal, mirëpo është vështirë e besueshme që do të ketë takime kokë më kokë të dy presidentëve, ku do të diskutojnë çështje, të cilat do të ndërlidhen me fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë – Serbi”, ka nënvizuar ai.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top