Në një lidhje live me “Abc News”, ndihmës-infermierja shqiptare që punon e jeton në Itali, Valbona Kalaj e prekur me Covid-19, ka treguar se ka patur disa simptoma të lehta para se të mësonte se kishte dalë pozitive.
Valbona ka treguar se nuk ka patur temperaturë të lartë, që është një nga simptomat e koronavirusit. Për këtë arsye infermierja theksoi se ata që nuk kanë simptoma janë më të rrezikshëm pasi infektojnë shumë persona pa e kuptuar.
“Simptomat ishin të lehta, me kalimin e kohës nuk kisha më temperaturë, por kollë të thatë. Tani këto kohët e fundit kam një temperaturë 37.5, një lloj debulese jo shumë fuqi për të levizur këto janë shenjat e parë që një pacient mund të ketë. Testin e parë e kam bërë me 12 mars dhe testin e dytë me 26 mars dhe testi rezultoi pozitiv, dhe duhet të rri edhe 14 ditë të tjera në karantinë. Një pacient që nuk ka simptoma mund të infektojë deri në 10 pacientë të tjerë.
Une fillimisht e mora thjesht si grip dhe nuk kisha frikën, kur na dhanë tamponët kisha ndjesinë se edhe unë do të dilja pozitive. Ata si unë që e kalojnë në këtë mënyrë, jemi më të rrezikshëm për ta përhapur. Pasi nëse do të kemi shenja ne mund të ruhemi, por një person si unë që do të shkojë kudo mund të jetë rrezik për shumë të tjerë”, u shpreh Valbona.