Lajme

Konjufca: Lumezi po vallëzon tango me pushtetin

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Sot ka dhënë arsyet se pse qytetarët duhet të marrin pjesë në protestën e së premtes. Ai ka thënë se thënia e Vetëvendosjes që pushteti e ka kapur shtetin duhet të riformulohet, duke thënë se pushteti po vallëzon me drejtësinë, raporton Zëri.info.

“Thënia jonë se pushteti e ka kapur drejtësinë duhet të riformulohet sepse kjo nuk është kapje, sepse kapja është e një njëanshme por ky është vallëzim tango i dyanshëm e njëri prej tyre është Lumezi dhe tjetri pushteti” ka thënë Konjufca.

Konjufca ka reaguar ndaj deklaratës së Këshillit Prokurorial se Vetëvendosje me këtë protestë po ndërhyn në drejtësi, duke përmendur se pikërisht ata që po ankohen nga ky këshill janë persona të politikës duke për menur këtu Bahri Hysenin si njërin ndër personat e përfshirë në aferën pronto.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë as institucioneve të drejtësisë sepse populli me shumë mund i ka ndërtuar por ne jemi për ti kritikuar njerëz që janë në krye të këtyre institucioneve të cilët po e dëmtojnë drejtësinë”, ka thënë ai.

Ai theksoi se ardhja e Lumezit në krye të prokurorisë është mirëpritur nga qytetarët porse tash pas kaq kohës në krye të saj, Konjufca u shpreh se po lulëzon krimi e korrupsioni.

“Ardhja në krye të prokurorisë së shtetit të Aleksandër Lumëzit fillimisht është parë me optimizëm nga qytetarët. Ai e luante rolin e një djali urban që nuk ka të kaluar kriminale dhe që po vjen në krye të kësaj zyre pikërisht me plan të qartë për ta luftuar krimin por pas këtyre viteve sa është në krye të prokurorisë mund të them që krimi kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm se sot dhe korrupsioni kurrë nuk ka qenë më i guximshëm se sot. Prandaj Lumezi nuk mund të amnistohet”, ka thënë Konjufca.

Ai shtoi se prej kur Lumezi qëndron në krye të prokurorisë ka ardhë ka ndërmarrë një praktikë brenda zyrës së prokurorisë që siç ka thënë Konjufca për ti centralizuar dhe monopolizuar rastet e korrupsionit në nivel të lartë dhe të takohet me figurat e larta publike dhe pushtetin për të bërë pazare.

Ndërsa deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, tregoi se pse protesta e së premtes do të mbahet para prokurorisë së shtetit pikërisht për arsyen e mosveprimit të Lumezit ndaj krimit dhe korrupsionit. Ajo tha se Kosovës i kushton shumë një kryeprokuror që nuk vepron.

“Korrupsioni në nivele të larta ka tendencë të normalizohet dhe c’është më e këqija ai po ndodh para syve të prokurorisë. Prokuroria është e pafuqishme përballë kriminelëve dhe të korruptuarave. PAN hajnia nuk do të ishte në këmbë nëse do të kishte veprim ndaj skandaleve qeveritare.”, ka thënë Haxhiu.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top