CoVid-19

‘Të rrish në shtëpi s’është asgjë para kësaj që po kaloj’, flet e reja shqiptare me Covid-19

Kryeministri Rama ka publikuar videon e një vajze të re shqiptare e cila tregon se ka dalë pozitive me koronavirus dhe është karantinuar në shtëpinë e saj. Ajo tregon se nuk ka patur kontakte me të infektuar, as me të ardhur nga jashtë vendit, prandaj nuk e di as kur dhe as nga kush e ka marrë virusin.

“Pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda në shtëpi, sidomos kur je i shëndetshëm më besoni janë komplet të papërfillshme krahasuar me pasojat që të lë të shikosh një familjar që ta merr ambulanca, një familjar me të cilin do kesh kontakt vetem telefonik për kushedi sesa kohë dhe përveç kësaj kur të të bëjnë analizën do të trajtojnë sikur je një mbetje kimike sepse në këtë pikë ke të njëjtën rrezikshmëri për të tjerët. Nuk kemi pasur kontakte me njerëz të infektuar, as me të ardhur nga jashtë, as me njerëz që kishin shfaqur simptoma. Nuk e dimë se ku e kemi marrë apo kur e kemi marrë. Ky virus nuk është shaka, po jua thotë dikush që po vuan pasojat, që ka dikë të shtruar në spital, po jua thotë dikush që është karantinuar momentalisht në shtëpi me 0 kontakt njerëzor”, shprehet vajza.

“Ju lutem qëndroni në shtëpi, beni kujdes maksimal, telefononi urgjencën nëse keni simptoma”, është thirrja e saj.

Kryeministri krah videos shkruan se vajza i dha shumë kurajo dhe e falenderon publikisht.

“Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht! Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë! Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde. Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta”

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top