Lajme

Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas rrëzimit të qeverisë

Tejkalimi i situatës me koronavirus pritet që ta futë Kosovën në një tjetër proces të vështirë.

Bëhet fjalë, për zgjedhje të parakohshme, e të cilat, në rast se mbahen, pritet të jenë të dytat brenda një viti, raporton KOHA.

Një e gjë e tillë pritet të ndodhë, pasi Lëvizja Vetëvendosje, partia e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk do t`i përgjigjet ftesës së presidentit Hashim Thaçi, për caktimin e një mandatari të ri.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti para se të kërkojë emrin e mandatarit të ri duhet të mendojë për datën e zgjedhjeve.

“Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues. Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e Qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme”, ka shkruar ndër të tjerash Kurti.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, derisa ka kritikuar vendimet e fundit të ekzekutivit ka thënë se nuk mjafton vetëm shkarkimi i Albin Kurtit.

“I pakëndellur nga dezertimi që ia shkaktoi vetes, në ditët e fundit të tij në zyre po e tregon formulën absurde të degradimit të vendimmarrjes që i takon një kryeministri. Vendimi i djeshëm i Albin Kurtit, është vendim aq i ultë, hakmarrës, i dëmshëm, qëllimkeq, i pavend, i paarsyeshëm e absurd, me të gjitha tiparet që i mban vetë vendimmarrësi i tij. Prandaj, për këtë kryeministër të shkarkuar, nuk mjafton vetëm shkarkimi, por edhe zëvendësimi sa më parë i tij, sepse tash kur s’mund të bëjë më dëmet e mëdha, ka filluar të dëmtojë pa fije kontrolli”.

Dy ditë më parë lidhur me çështjen e mandatarit është deklaruar edhe presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se nga e hëna do t’i fillojë konsultat me partitë për mundësinë e formimit të qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të kërkojë nga partia fituese një emër të ri për formimin e qeverisë. Nëse kjo parti, në rastin aktual, Lëvizja Vetëvendosje, i përgjigjet negativisht kërkesës së Thaçit atëherë kërkesa për mandatarin e ri u bëhet partive të tjera.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top