Mbrëmja e sotme në “Opinion” i është dedikuar mbledhjes së ndihmave në ushqime për të gjitha familjet në nevojë, të cilat situata me koronavirusin i ka gjunjëzuar edhe më tepër.
Në një lidhje live në emision, Alekta Vejsiu u shpreh e gatshme për të ndihmuar familje që janë në vështirësi, duke kërkuar që ta kontaktojnë në rrjetet e saj sociale.
Po ashtu moderatorja e njohur tha se prej disa ditësh kanë nisur pako ndihme për disa familje që kanë vështirësi në nevojat bazike.
Ndërkaq ajo i është drejtuar institucioneve përkatëse të Shëndetësisë, për të prodhuar maska për të plotësuar nevojat e stafit mjekësor por jo vetëm, duke marrë direktivat e nevojshme për cilësinë që duhet të kenë apo copën që duhet përdorur.
Një thirrje ajo ia ka drejtuar të gjithë pronarëve të banesave apo biznese që i kanë lënë me qira, që të kontribuojnë duke mos u kërkuar këstin mujor qiramarrësve.